“SHBA do të ndikojë për krizën Greqi-Turqi”


“SHBA do të ndikojë për krizën Greqi-Turqi”

22:20 29/09/2020

Pompeo: E vetmja zgjedhje mes palëve është dialogu

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, vizitoi sot bazën detare të SHBA-së në Gjirin Souda në ishullin e Kretës. Pompeo tha se Uashingtoni do të përdorë ndikimin e tij diplomatik dhe ushtarak në rajon për të zgjidhur mosmarrëveshjen për kufijtë mes Athinës dhe Ankarasë.

Pompeo mirëpriti një vendim nga të dy palët për të rifilluar bisedimet eksploruese, duke thënë se mosmarrëveshjet detare duhet të zgjidhen përmes dialogut, jo demonstrimeve të fuqisë.

Ne shpresojmë që bisedimet jo vetëm të fillojnë, por është e rëndësishme që ato të zgjidhen në një mënyrë që të japë rezultate që secili prej të dy kombeve i konsideron më shumë se të pranueshme.

Mes tensionit me Turqinë, Greqia ka njoftuar blerje të mëdha armësh, duke përfshirë avionë luftarakë nga Franca, si dhe anije luftarake, helikopterë dhe sisteme armësh. Marrëdhëniet greko-turke u përkeqësuan ndjeshëm këtë vit, duke çuar në frikën se mosmarrëveshja mund të çojë në konflikt të hapur.

Turqia dërgoi një anije kërkimore, të shoqëruar nga anije luftarake, për të gjetur burime energjetike në një zonë që Greqia pretendon se është në shelfin e saj kontinental dhe ku pretendon të drejta ekskluzive ekonomike. Athina dërgoi anije luftarake të saj në zonë.

Shtetet e Bashkimit Evropian do të diskutojnë vendosjen e sanksioneve të mundshme ndaj Turqisë për veprimet e saj më vonë këtë javë. Rreth 1,500 njerëz në Selanik protestuan për vizitën e Pompeos të organizuar nga grupet e majta dhe Partia Komuniste.

Klan Plus





Të ngjashme