SHBA do të publikojë listën e zyrtarëve të korruptuar në Amerikën Qendrore


SHBA do të publikojë listën e zyrtarëve të korruptuar në Amerikën Qendrore

13:56 06/05/2021

Administrata e Presidentit Biden planifikon të publikojë deri në fund të qershorit një listë të zyrtarëve të korruptuar të Amerikës Qendrore, të cilët mund të bëhen objekt i sanksioneve, i tha një i dërguar amerikan agjencisë së lajmeve Reuters, ndërsa Uashingtoni kërkon të sprapsë një shkak kryesor të emigrimit në rritje në kufirin SHBA-Meksikë.

Ricardo Zuniga, i dërguari special i Presidentit Joe Biden për vendet e Trekëndëshit Verior të Guatemalës, Hondurasit dhe El Salvadorit në Amerikën Qendrore, gjithashtu tha se administrata po shqyrtonte sanksione të mëtejshme kundër zyrtarëve në rajon për mitmarrje, bazuar tek Ligji Global Magnitsky.

Zyrtarët amerikanë e shohin korrupsionin si një nga faktorët kryesorë për fluksin e emigrantëve, së bashku me varfërinë, dhunën e bandave dhe pasojat nga uraganet vitin e kaluar, si dhe duan të sigurohen që një paketë ndihme prej 4 miliardë dollarësh që është bërë gati për rajonin të mos bëhet pre e plaçkitësve.

“Ky është mandati nga Kongresi. Ne kemi një përgjegjësi dhe do ta përmbushim atë”, tha zoti Zuniga në një intervistë të mërkurën. “Kjo përputhet me angazhimin tonë për të mbrojtur ata që po luftojnë pandëshkueshmërinë”.

Zoti Zuniga i referohej një ligji të sponsorizuar nga ish-Ligjvënësi Eliot Engel dhe i miratuar nga Kongresi në dhjetor që kërkon që Departamenti i Shtetit të përpilojë brenda 180 ditëve të ashtuquajturën Listën Engel me të korruptuarit në Trekëndëshin Verior. Administrata, tha ai, do të përmbushë kërkesën e Kongresit. Ata që vendosen në shenjestër mund të bëhen objekt i ndalimeve për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, konfiskimin e pronave në SHBA dhe ndalimin për amerikanët që të bëjnë biznes me ta. Por, ai nuk pranoi të përmendte ata që mund të sanksionohen.

Zoti Zuniga foli vetëm disa ditë përpara një takimi virtual mes Nënpresidentes Kamala Harris, e ngarkuar nga Presidenti Joe Biden për të udhëhequr përpjekjet diplomatike për të frenuar emigracionin e pa-autorizuar dhe Presidentit meksikan Andres Manuel Lopez Obrador. Ajo planifikon të vizitojë Meksikën dhe Guatemalën më 7 dhe 8 qershor. Nënpresidentja Harris dhe Presidenti Lopez Obrador pritet të diskutojnë të premten se si të ndalin lëvizjen e emigrantëve, shumë prej tyre nga Amerika Qendrore, drejt kufirit SHBA-Meksikë.

Ndër nismat e Nënpresidentes Harris është të përpiqet të nxisë kompanitë amerikane të investojnë më shumë në Trekëndëshin e varfër të Veriut. Zoti Zuniga tha se shumë firma amerikane janë të interesuara të bëjnë më shumë biznes në rajon por se “ka hezitim për investime” për shkak të korrupsionit lokal, infrastrukturës së dobët dhe problemeve të tjera./VOA






Të ngjashme