Protestat në SHBA kanë hyrë në ditën e 12 të tyre. Demonstruesit  në Nju Jork e shumë vende të tjera kanë protestuar në mënyrë paqësore ndryshe nga disa ditë më parë.

Qytetarët mbushën rrugët në Central Park në Manhattan duke mbajtur pankarta në duar e duke kërkuar reformim në sistemin policor. 150 protestues në Minnesota, vendi ku ndodhi vrasja e Floyd-it, u mblodhën para shtëpisë së guvernatorit duke brohoritur “Duam drejtësi”.

Pesë mijë protestues morën pjesë në Chicago, ndërsa protesta paqësore u organizuan në Los Angeles. Ndërkaq demonstratat më të mëdha u zhvilluan në Washington DC ku mijëra persona marshuan vetëm pak metra Shtëpisë së Bardhë, e cila ishte e blinduar nga forca të shumta sigurie.

Me shkronja të verdha dhe gjigante dhe me një mesazh të fortë, sheshi përpara Shtëpisë së Bardhë,  ka një emër tjetër: “Jeta e njerëzve me ngjyrë vlen”! Ky mesazh i rëndësishëm është duartrokitur nga të gjithë, si një jehonë për vrasjen e paprecedentë të George Floyd nga policia e Mineapolis.

Një gjë e tillë është miratuar edhe nga kryebashkiakja demokrate e Uashingtonit, Muriel Bowser i cili kërkoi presidentit Trump që të largojë ushtrinë federale.

Nga ana tjetër, protestat në Meksikë janë shoqëruar me dhunë dhe kaos. Një oficeri policie i është vënë zjarri pas një konfrontimi me disa demonstrues.

Ngjarja e rëndë  ka ndodhur Guadalajara. Video e cila po bën xhiron e rrjetit tregon një grup oficerësh policie në motoçikleta që konfrontohen me protestuesit. Në këto moment njëri prej protestuesve i maskuar me syze dielli i hedh policit një lëng në kurriz dhe i vë zjarrin.

Meksika është përfshirë nga një valë protestash që prej vdekjes Giovanni Lopez, 30-vjeçarit që vdiq disa orë pasi u arrestua vetëm sepse nuk po mbante maskë në publik.

Yje të botës së muzikës, kinematografisë dhe intelektualë të famshëm janë sensibilizuar kundër racizmit. Ylli i NBA, Michael Jordan, ka njoftuar se do të japë 100 milionë dollarë për organizatat që luftojnë kundër diskriminimit racor.

Klan Plus