Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe Britania e Madhe i vendosën sanksione të reja ndaj Iranit në një kohë që po shtohet shqetësimi se sulmi i pashembullit i 13 Prillit i Teheranit ndaj Izraelit mund të ndezë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit vuri sanksione ndaj 16 individëve dhe 2 entiteteve në Iran, që prodhojnë motorë për dronët që u përdorën në sulmin e 13 Prillit ndaj Izraelit.

Edhe Britania e Madhe vendosi sanksione që prekin një sërë njësish ushtarake iraniane, individë dhe entitete të lidhura me industrinë iraniane për prodhimin e dronëve dhe raketave.

Teherani nga ana e tij paralajmëroi se nëse ushtria izraelite do të kundërpërgjigjet atëherë do të sulmojë qendrat bërthamore të Izraelit.

Kërcënimi erdhi nga komandanti i Sigurisë Nukleare të Iranit, Ahmad Haktalab, i cili tha se i dinë të gjitha vendndodhjet e objekteve bërthamore të Izraelit.

Më vonë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, edhe ministri i Jashtëm Hussen Amir-Abdullahian tha se në rast të sulmeve të mëtejshme nga Izraeli, Irani nuk do të hezitonte as për një moment në një përgjigje që do ta bënte të pendohej për veprimet e tij.

Tv Klan