Shtëpia e Bardhë është e fokusuar në shkëputjen e presidentit të kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro nga burimet e tij të të ardhurave.

“Ne mendojmë në përputhje me njohjen tonë të Juan Guaido si presidenti kushtetues i përkohshëm i Venezuelës, që këto të ardhura duhet të shkojnë në qeverinë legjitime. Është shumë e komplikuar”, tha të enjten Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton.

Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dërgojnë në Venezuelë ushqim dhe medikamente në përgjigje të kërkesës së Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita.

Pompeo iu bëri thirrje vendeve tjera të ndihmojnë banorët e Venezuelës të rindërtojnë vendin, i cili, siç tha, është shkatërruar nga qeveria “jolegjitime” e Maduros.

Sekretari Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dërgojnë 20 milion dollarë ndihma humanitare në Venezuelë.

Qeveria e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro ka refuzuar pothuajse të gjithë ndihmën e jashtme, duke thënë se ato janë vetëm mbulesë në mënyrë që fuqitë e huaja të pushtojnë vendin.

Në anën tjetër, Papa Françesku po i përcjellë nga afër zhvillimet në Venezuelë dhe përkrahë “të gjitha përpjekjet që ndihmojnë popullatën nga vuajtjet e mëtejshme”.

Papa gjendet për vizitë në Panama, vendin fqinj të Venezuelës.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende e kanë njohur rivalin e Maduros, njëherësh lider i opozitës Juan Guaidon si President të përkohshëm të Venezuelës.

Kundërshtimet më të fuqishme janë bërë nga ana e Kinës, Rusisë, Iranit dhe Turqisë të cilat e mbështesin presidentin e kontestuar Nicolas Maduro.

Ekonomia në Venezuelë është dobësuar nën presidentin Maduro.

Inflacioni i lartë, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesa e gjërave bazë kanë bërë që miliona njerëz të ikin nga ky vend.

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në një tubim të mërkurën, në kryeqytetin Karakas, në mbështetje të Guaidos, i cili është udhëheqës i Asamblesë Kombëtare.

Ai u tha turmave se protestat do të vazhdojnë “derisa Venezuela të çlirohet”./REL