Takohen në Reikjavik Antony Blinken e Sergei Lavrov

SHBA-ja dhe Rusia ulën tonet dhe u ulën në bisedime ku u zotuan për dialog e për të punuar së bashku. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në takimin e tij të parë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, një diplomat veteran, tha se nuk ishte “sekret pasja e mosmarrëveshjeve” dhe se Uashingtoni do t’u përgjigjej akteve agresive të Rusisë, por shtoi se bota do të jetë më e sigurt nëse udhëheqësit e të dy vendeve punojnë së bashku.

Ministri rus Lavrov, duke folur në hapjen e takimit në Reikjavik, tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë “dallime serioze”, por shtoi se vendet duhet të bashkëpunojnë “në fusha ku interesat afrohen”.

Sekretari Blinken tha se Presidenti Biden dëshiron “marrëdhënie të parashikueshme dhe të qëndrueshme me Rusinë” dhe shtoi se të dy vendet mund të punojnë së bashku për të luftuar pandeminë e koronavirusit, ndryshimet e klimës, programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut dhe Afganistanin.

“Ne mendojmë se kjo është mirë të popujve tanë, e mirë për popullin rus dhe me të vërtetë e mirë për botën”, tha sekretari Blinken.

Takimi i parë ballë për ballë i nivelit të lartë mes zyrtarëve më të lartë të diplomacisë amerikane dhe ruse zgjati 1 orë e 45 minuta, më shumë nga sa pritej.

Ministri Lavrov tha se bisedimet ishin “konstruktive” dhe se dy diplomatët do të përgatisin propozimet për një takim të mundshëm midis Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin.

Pak pas takimit të dy zyrtarëve të lartë u konfirmua heqja e sanksioneve ndaj kompanisë që po ndërton gazsjellësin Rrjedha Veriore 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë. Ky veprim i amerikanëve hap rrugën për Berlinin dhe Uashingtonin që brenda tre muajsh të zgjidhin mosmarrëveshjen që vazhdon që nga administrata Trump.

Klan News