Pas përshkallëzimit të akteve të luftës ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka telefonuar Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Departamenti i Shtetit njofton se Blinken i ka shprehur Kryeministrit Netanyahu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa të Hamasit nga Gaza.

Blinken përsëriti thirrjet që dhuna mes Izraelit dhe Palestinës të mos përshkallëzohet, si dhe bëri të ditur se palestinezët dhe izraelitët kanë të drejtë të jetojnë në siguri. Më herët Blinken pati njoftuar se SHBA do të dërgojë në rajon një diplomat të lartë për t’u takuar me zyrtarët e Izraelit dhe Palestinës.

Ai tha gjithashtu se Izraeli ka një barrë më shumë për të shmangur viktimat civile nëse u kundërpërgjigjet sulmeve me raketa. Gjatë ditëve të fundit, janë përshkallëzuar ndjeshëm tensionet mes Izraelit dhe Palestinës, me akte të dhunshme nga të dyja palët. /tvklan.al