Vazhdojnë grabitjet, vritet një polic. Gazetarët kërkojnë liri për të raportuar

Protestat e dhunshme që kanë përfshirë të gjithë Amerikën kanë hyrë në ditën e tetë pas vrasjes së afro-amerikanit, George Floyd. Më shumë se 200 persona janë arrestuar në Nju Jork teksa po plaçkisnin disa prej dyqaneve më me emër. Jo vetëm kaq, por dhuna ka degjeneruar edhe në Uashington, teksa protestuesit vandalizuan disa prej institucioneve, si dhe grabitën biznese luksoze.

Protesta u zhvilluan edhe në Çikago, Boston, Kolorado, St. Louis etj, ku mijëra njerëz dolën në rrugë duke protestuar me slogane “Black Lives Matter”, si dhe pankarta të tjera kundër racizmit dhe dhunës policore.

Si pasojë e dhunës një polic në St Louis mbeti i vrarë nga protestuesit. David Dorn po tentonte të arrestonte disa të rinj të cilët po plaçkisnin një argjendari, por u qëllua për vdekje nga ata.

Presidenti Donald Trump po rrit presionin ndaj guvernatorëve për të angazhuar Gardën Kombëtare një ditë pasi ai kërcënoi për ndërhyje të ushtrisë kundër trazirave dhe plaçkitjeve.

Ndërkaq Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve iu ka bërë thirrje autoriteteve amerikane që të marrin masa pasi reporterët po bien pre e dhunës teksa mbulojnë protestat. Kujtojmë se fundjavën e kaluar një gazetar i CNN u arrestua pa asnjë shkak, teksa raportonte live protestën.

Nga ana tjetër ish-nënpresidenti Joe Biden ka kritikuar kreun e Shtëpisë së Bardhë për vendimin që mori teksa deklaroi se do të nxirrte ushtrinë në vend.

Sipas Biden amerikanët tani më shumë se kurrë kanë nevojë që dikush t’i udhëheqë dhe kjo që Trump po ndërmerr është e pajustifikueshme pasi po e përçan SHBA-në.

Klan Plus