Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje përfundimtare. Përmes një postimi në Twitter, Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare Xhon Bolton tha se ia kishte përcjellë thirrjen Presidentit kosovar Hashim Thaçi, gjatë takimit në Uashington.

“U takova në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ramë dakord që tani është koha që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë të dyja palët për të arritur këtë qëllim historik”.

Të njëjtin qëndrim shprehu edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Majk Pompeo gjatë takimit të së hënës me Thaçin, duke nënvizuar se paqja dhe integrimi në komunitetin perëndimor arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Investimin konkret të Shteteve të Bashkuara në këtë fazë e konfirmoi vetë Presidenti Thaçi, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Është një mbështetje edhe më konkrete pasi tani gjërat kanë lëvizur, jemi në fazën e fundit të arritjes së marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi. Vlerësoj, edhe nga takimet që kam zhvilluar me Sekretarin Pompeo dhe me Sekretarin për Sigurinë Kombëtare, Bolton, shoh që ekziston një disponim global për këtë proces, të kryhet shpejt, mirë, paqshëm edhe në Kosovë edhe në Serbi”.

Ndonëse nuk e përmendi idenë e tij për korrigjim kufijsh, Thaçi nënvizoi se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, mund të realizohet vetëm nëse përcaktohen vijat kufitare mes dy vendeve.

Tv Klan