Autoritetet franceze mund të vendosin bllokadë vetëm në Paris

Infektimet ditore në Shtetet e Bashkuara, që pas 8 Janarit kanë pësuar një rënie të theksuar dhe ditët e fundit, ato kanë arritur nivelet më të ulëta që prej Tetorit, në mesatarisht 60 mijë.

Por autoritetet e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë se qarkullimi i mutacioneve që përhapen më shpejt, rrezikon shpërthimin e një vale të katërt përhapjeje.

Ekspertët parashikojnë që mutacioni britanik të bëhet dominant dhe krahas tij të përhapen shumë edhe variantet nga Afrika e Jugut e Brazili. Ditët e fundit po shfaqet gjithnjë e më shumë një mutacion vendas njujorkez.

Për shkak të niveleve të larta të infektimeve, qeveria franceze po shqyrton mundësinë e vendosjes nën bllokadë vetëm të rajonit Il de France, më i populluari ku bën pjesë edhe kryeqyteti Paris.

Megjithatë, autoritetet lokale i kanë dalë kundër qeverisë duke thënë se një bllokadë e tretë do të ishte një rrënim për banorët dhe kanë paralajmëruar se nuk do ta zbatojnë.

Franca është vendi me numrin më të lartë të infektimeve ditore në kontinent edhe pse 24-orëshin e fundit janë raportuar më pak të infektuar siç ndodh një herë në javë.

Tendencën e shifrave që reduktohen e ruajnë aktualisht Britania e Madhe dhe Gjermania.

Tv Klan