Shtetet e Bashkuara po përmbyllin të gjitha opsionet ushtarake në rast se sanksionet dhe tentativat diplomatike dështojnë për zgjidhjen e krizës me Korenë e Veriut. Kreu i ushtrisë amerikane Joseph Dunford, tha se të gjitha planet ushtarake janë drejt përfundimit.

“SHBA-të janë gati të përdorin të gjithë kapacitetin e tyre për të mbrojtur aleatët dhe vendin”,

tha gjenerali i ushtrisë amerikane, Joseph Dunford.

Dunford  ndodhet akualisht në Korenë e Jugut ku po diskuton mbi tensionet në rajon. Ai pritet të takohet edhe me krerët e qeverive të Japonisë dhe Kinës.

Retorika e ashpër mes SHBA dhe vendit komunist ka rritur shqetësimin ndërkombetar për një konflikt të armatosur, i cili sipas strategëve ushtarakë do të shkaktonte miliona viktima.

Tensionet erdhën pas provave bërthamore të zhvilluara nga Koreja e Veriut. Në një shkrim sensacional, New York Times shkruan se pas suksesit të raketave interkontinentale të Koresë së Veriut qëndron Ukraina.

Gazeta i referohet një dokumenti të agjencisë së inteligjencës ku thuhet se Peniani i bleu motorrët e fuqishëm që përdoren për raketat në tregun e zi në një fabrikë ukrainase. NYT, shkruan se fabrika ukrainase është e njohur për lidhjet e saj me Rusinë dhe ka kontribuuar në zhvillimin e programit raketor rus.

Sakaq, Peniani thuhet se është në përfundim të planit për sulmin ndaj ishullit amerikan Guam, ku është e vendosur një bazë ushtarake. Plani pritet të miratohet brenda muajit gusht nga lideri komunist Kim Jong Un. Ai parashikon lëshimin e katër raketave të cilat do të bien rreth 30 km larg bregut të ishullit Guam.

TV KLAN