FBI-ja i ka dërguar urdhër gjykate gjigandit të publikimeve Gannett me kërkesën për t’u dhënë agjentëve informacion që do të ndihmojë për të gjurmuar lexuesit e një artikulli të gazetës USA Today liidhur me një të dyshuar për pornografi me të mitur,cili qëlloi për vdekje dy agjentë të FBI-së në shkurt.

Urdhri i gjykatës që iu dërgua kompanisë në prill, u bë i njohur këtë javë pasi kompania Gannett dorëzoi në gjykatë dokumente ku i kërkon një gjykatësi federal të anulojë urdhrin. Veprimet e Departamentit të Drejtësisë u kritikuan menjëherë nga aktivistë për lirinë e medias.

Ekzistenca e këtij urdhër gjykate bëhet publike ndërkohë që kanë dalë në dritë hollësi të prraktikave të Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës Trump kur kishte mbledhur emaile dhe tabulate telefonike të gazetarëve në të paktën tre raste. Aktivistët kanë ngritur pyetje mbi veprimet e qeverisë federale për të përdorur organizatat mediatike, gazetarët dhe punën e tyre si vegla të proceseve hetimore.

Urdhri i gjykatës ndaj kompanisë Gannett kërkon të dhëna mbi këdo që ka klikuar tek artikulli për të paktën 35 minuta, një ditë pas incidentit që la të vrarë agjentët e FBI-së. Urdhri kërkon adresat elektronike që shpesh mund të ndihmojnë për të zbuluar vendndodhjen e një kompiuteri, organizatën së cilës i përket dhe ku është regjistruar.

Megjithëse urdhri i gjykatës nuk kërkon shprehimisht emrat e lexuesve të artikullit, ky informacion mund të gjendet kollaj nëse zbulohen të dhënat e tjera.

Nuk është e qartë përse FBI-ja po kërkonte informacion veçanërisht mbi artikullin e gazetës USA Today, megjithëse lajmi tronditës ishte raportuar nga një mori gazetash.

Në shkurt një person hapi zjarr mbi dy agjentë të FBI-së që kishin shkuar për kontroll në kuadër të hetimeve për përdorim dhe përhapje të përnografisë me të mitur. Agjentët Daniel Alfin dhe Laura Schwartzenberger, u vranë në atë incident; tre agjentë të tjerë u plagosën.

Maribel Perez Wadsworth, publiciste e gazetës USA Today tha se qeveria do nga organizatat mediatike të dorëzojnë “informacion privat” lidhur me lexuesit e tyre dhe shtoi se organizata e saj po lufton për të mbrojtur marrëdhënien mes lexuesve dhe gazetarëve.

Urdhri i gjykatës, ekzistenca e të cilit u njoftua për herë të parë nga portali mediatik Politico, thotë se informacioni nevojitet prë të ndihmuar një proces hetimor. Zyrtarët federalë nuk kanë dhënë hollësi të tjera mbi hetimet./VOA