Steve Witkoff, kreu i ekipit të presidentit amerikan Donald Trump për nxitjen e armëpushimit mes Kievit dhe Moskës, hedh poshtë përpjekjet e Britanisë së Madhe dhe vendeve europiane për dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, për të garantuar paqen nëse arrihet një marrëveshje.
Në një intervistë për Tucker Carlson gazetarin me pikëpamje konservatore, Witkoff ironizoi palën europiane.
“Kjo do të thotë t’i bësh gjërat të thjeshta kur ato nuk janë të tilla. Më duket se, të gjithë në Europë duan të jenë si Winston Churchill”, shprehet Steve Witkoff, i dërguari i SHBA për paqen në Ukrainë.
Witkoff hodhi poshtë frikërat e europianëve se nëse ruset fitojnë luftën në Ukrainë, do të pushtojnë Europën, siç ndodhi në luftën e dytë botërore.
“Rusët do marrshojnë në Europë. Mendoj se kjo është krejt absurde, meqë ra fjala. Kemi diçka që quhet NATO, që nuk e kishim në Luftën e Dytë botëore. Ata nuk e duan as Ukrainën, por duan stabilitet atje, njëlloj siç kërkon Izraeli në Rripin e Gazës”, tha Wifkoff
Putinin e vlerësoi si shumë të zgjuar. E teksa Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë këto dy ditë bisedime të ndara për paqen me ukrainasit dhe rusët në Arabinë Saudite, 3 persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën nga një sulm i fuqishëm rus me dronë e raketa gjatë natës në Kiev.
Tv Klan