Administrata e Biden ka thënë, se do të bashkohet me një fushatë globale për ta bërë internetin një vend më të sigurt. Vendimi vjen dy vjet pasi administrata e mëparshme Trump refuzoi të regjistrohej në këtë nismë.

SHBA do të bashkohet me një fushatë të mbështetur nga Zelanda e Re për të shuar ekstremizmin e dhunshëm online, tha Shtëpia e Bardhë të premten (07.05), dy vjet pasi një person i armatosur transmetoi drejtpërdrejt vrasjen e 51 njerëzve në dy xhami në Christchurch.

Iniciativa nisi nga Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern dhe Presidenti Francez Emmanuel Macron në vitin 2019.

Por administrata e Donald Trump nuk pranoi të bashkohej në atë kohë, duke iu refruar shqetësimit për lirinë e fjalës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki gjatë një deklaratë (07.05) tha, se Shtetet e Bashkuara do të bashkohen me “Thirrjen e Christchurch për të eleminuar përmbajtjet terroriste ekstremiste dhe të dhunshme online”.

Marrëveshja globale është një marrëveshje e pashembullt midis qeverive dhe të gjitha kompanive të mëdha të teknologjisë se si ta bëjnë internetin më të sigurt.

‘Prioritet i rëndësishëm’ për SH.B.A.

“Kundërshtimi i përdorimit të internetit nga terroristët dhe ekstremistët e dhunshëm për të radikalizuar dhe rekrutuar është një përparësi e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara,” tha Psaki në deklaratë.

“Bashkimi me koalicionin e qeverive dhe kompanive që kanë mbështetur Thirrjen për Veprim në Christchurch përforcon nevojën për veprim kolektiv.”

Ardern tha të shtunën (08.05) se SHBA ka qenë një “partner konstruktiv, i angazhuar në shumë çështje të lidhura me shqetësimet e ngritura që nga fillimi” dhe njoftimi ishte një “zyrtarizim i asaj marrëdhënieje dhe një angazhim për ne që të punojmë edhe më ngushtë”.

Puna e Thirrjes për Veprim në Christchurch do të drejtohet nga Forumi Global i Internetit për të Luftuar Terrorizmin (GIFCT) – krijuar nga Facebook, Twitter, Google (YouTube) dhe Microsoft në 2017 – i cili do të bëhet një organ i pavarur me detyrë parandalimin dhe reagimin ndaj ekstremizmit terrorist dhe të dhunshëm online.

Fillimisht u nënshkrua në një samit të Parisit në maj 2019 nga 17 vende, Komisioni Evropian dhe tetë platforma në internet.

Psaki këmbënguli se çdo mbështetje për iniciativën nuk do të “shkelë liritë e fjalës dhe shoqërimit, të mbrojtura nga Amendameti i Parë i Kushtetutës së SH.B.A.”

Një samit virtual është vendosur të mbahet javën e ardhshme në 14 Maj./DW