Manastirliu falenderon ambasadoren amerikane Yuri Kim

Pajisje mjekësore në vlerën e 1 milion dollarëve u dhuruan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rritjen e kapaciteteve spitalore në Shqipëri. Të pranishme gjatë ceremonisë së mbajtur këtë të mërkurë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ishin Ministrja e Shëndetësisë dhe Ambasadorja Amerikane në Shqipëri. 

“Dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë, siç është populli amerikan, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë vendet të cilat na kanë mbështetur dhe  kanë treguar solidaritetin e tyre, në një kohë totalisht të pazakontë. Përpjekjet tona përgjatë këtyre 15 muajve kanë qenë shumëplanëshe, ja kemi dalë që ti përgjigjemi situatës duke punuar për të forcuar të gjithë nivelet e sistemit tonë shëndetësor”

Për ambasadoren Yuri Kim, Shqipëria është një model suksesi në përballimin e pandemisë Covid19.

“Si një rezidente e përkohshme e Shqipërisë jam shumë krenare që Shqipëria ka nivelin më të ulët të sëmundshmërisë nga Covid19, dhe një nga nivelet më të larta të vaksinimit të popullatës. Unë jam një dëshmitare e cila mund të vërtetoj se falë përpjekjeve tuaja Shqipëria mund të jetë një model për gjithë Botën”

Pajisjet mjekësore të financuara nga Komanda Ushtarake e SHBA-ve në Europë, përfshijnë shtretër dhe dyshekë për strukturat spitalore, aparat grafie, frigorifer për ruajtjen e Vaksinave anti-Covid, pajisje monitorimi etj.

Tv Klan