Perimetri i sigurisë së NATO-s në Shqipëri forcohet edhe më tej pas shqetësimeve në rritje për kërcënimet që vijnë nga Lindja. 37 mjete të blinduara rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara i janë dhuruar ushtrisë shqiptare nga Shtetet e Bashkuara.

Mjetet e blinduara të markës ‘International Maxx Pro MRAP’ kanë një ekuipazh prej 3-7 ushtarakësh dhe do të përdoren nga Forcave tona të Armatosura në kuadër të mbrojtjes kolektive të NATO-s. E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Leyla Moses – Ones tha në ceremoninë e  dorëzimit se dhurimi i këtyre mjeteve tregon rëndësinë që ka për Shtetet e Bashkuara fuqizimi i ushtrisë shqiptare.

“Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO që mund të dislokohet në mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull se si Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan”.

Ndërsa ministrja e Mbrojtes Olta Xhaçka teksa falenderoi qeverinë e amerikane për ndihmën e vazhdueshme që i jep për vendin tonë tha se këto mjete do të rrisin sigurinë e Aleancës.

“Kjo paketë përkthehet në më shumë cilësi kapacitetesh, më shumë angazhime të përbashkëta dhe sigurisht në më shumë siguri si për vendin tonë ashtu edhe për aleancën”.

Në ceremoni mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Me dhurimin e 37 blindave mbyllet një tjetër faza e ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Forcat e Armatosura Shqiptare.

Tv Klan