DASH: Të dy palët bënë një hap gjigant përpara

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat të mërkurën. DASH ka thënë se është bërë një hap i madh para, ndërsa ka inkurajuar palët të vazhdojnë me negociata konstruktive për të arritur deri te një normalizim i përgjithshëm i marrëdhënieve.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

Marrëveshjen e kanë mirëpritur edhe ambasadorët e vendeve të QUNT-it të akredituar në Kosovë.

Për arritjen  e marrëveshjes Presidentja Vjosa Osmani e ka falenderuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe qeverinë e SHBA-së.

Të mërkurën mbrëma është arritur marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave duke evituar një përshkallëzim të situatës në atë pjesë të Kosovës.

Zv.kryeministri Besnik Bislimi ka thënë me marrëveshje Serbia do të ndalojë regjistrimin e veturave, kurse Kosova nuk do të vendosë gjoba për targat ilegale.

Por Lista Serbe nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se me këtë marrëveshje  gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të funksionojnë normalisht dhe në momentin e skadimit të regjistrimit ekzistues do të mund ta zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit si më parë ndërsa do të ndalohet prodhimi i targave të reja.

Tv Klan