SHBA ka kërcënuar se do të vendosë më shumë sanksione ekonomike ndaj Turqisë nëse kjo e fundit nuk e lë të lirë pastorin amerikan. Andrew Brunson është ndaluar në Turqi për gati dy vjet, i akuzuar për lidhje të dyshuara me grupet politike të jashtëligjshme.

Mosmarrëveshja për lirimin e tij ka bërë që dy aleatët e NATO-s të vendosin tarifa të larta për mallrat e eksportuara nga dy shtetet. Kjo ka përkeqësuar krizën e monedhës turke, lira, e cila ka humbur një të tretën e vlerës së saj ndaj dollarit që nga janari.

Lira ka pasur një rimëkëmbje të vogël, por kjo është e kërcënuar sërish nga Presidenti Trump nëpërmjet një postimi në Twitter. Ai tha në orët e para të ditës së premte, se Turqia ka përfituara nga Shtetet e Bashkuara për shumë vite dhe se tarifat do të rriteshin.

Të enjten, sekretari amerikan i thesarit, Steven Mnuchin tha:

“Ne do bëjmë më shumë se ajo çfarë kemi planifikuar nëse nuk e lirojnë pastorin së shpejti”.

Javën e kaluar, SHBA dyfishoi tarifat për importet e metaleve nga Turqia. Sipas BBC, Turqia u zotua se nuk do të dorëzohej nga kërcënimet.

Një gjykatë në Turqi refuzoi të lironte pastorin Brunson dhe qeveria në Ankara rriti tarifat për importet nga SHBA për automjetet, pijet alkoolike dhe duhanin, ndërkohë lira u rimëkëmb disi.

Presidenti Erdogan u ka kërkuar turqve të rritin monedhën duke mos e konvertuar atë në dollarë dhe në euro. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar SHBA se po përpiqen “të ulin Turqinë në gjunjë”.

Ankaraja akuzon Brunson, i cili predikon në një kishë të vogël ungjillore në Izmir, për lidhje me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit dhe me lëvizjen Guleniste, të cilën Turqia e fajëson për një grusht shteti të dështuar dy vjet më parë.

SHBA këmbëngul se pastori, një banor i vjetër i Turqisë, është “një viktimë e paraburgimit të padrejtë”./tvklan.al