Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara si asnjëherë më parë në zgjidhjen e kontesit që ka Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit, ngase kjo jo vetëm se në formë të drejtëpërdrejtë ndikon në stabilitet të Maqedonisë si shtet, por ndikon dhe në stabilitetin e Ballkanit në përgjithësi.

Stevo Pendarovski, koordinator për çështje të integrimeve në NATO, për Radion Evopa e Lirë thotë se me integrimin e Maqedonisë në NATO vendoset një bllokadë e cila do të jetë vështirë e kapërcyeshme për shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan.

“Të themi hapur, interesi i tyre (SHBA-së) është stabiliteti i Ballkanit dhe fokusi i sërishëm më krahun jugor të Aleancës Veriatlantike që ta rrumbullaksojnë si projekt sepse krahu jugor i Aleancës është shumë afër Mesdheut që paraqet një interes strategjik për interesat amerikane”.

“Megjithatë, duhet të theksohet se interesi i SHBA-së jo vetëm për këtë administratë, por nëse ju kujtohet edhe gjatë vitit të fundit të administratës së presidentit Barack Obama, me interes të veçantë ishte pengimimi i shtrirjes ruse në Ballkan”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Selim Ibrahimi, drejtues i Qendrës për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim në Maqedoni, për Radion Evropa e Lirë thotë se SHBA-ja në periudha të caktuara disa herë më të dukshme dhe nganjëherë paksa në mënyrë më të tërthortë, gjithmonë ka qënë e përfshirë në zgjidhjen e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë.

Por, shton Selimi, gjatë dy vjetëve të fundit, takimet pas dyerve të mbyllura me zyrtarët e Athinës dhe Shkupit kanë qenë mjeti kryesor për t’i dhënë shtytje zgjidhjes së kontestit greko-maqedonas që zgjati më shumë se dy dekada.

“Involvimi i drejtpërdrejtë amerikan duket qartazi se është i domosdoshëm, veçanërisht në një kohë kur të gjithë menduan se negociatat mund të dështojnë. Intervenimi amerikan ndodhi në një moment shumë të saktë në kohë, dhe kjo dorë amerikane do të vazhdojë në procesin e negociatave mes Maqedonisë edhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit të emrit, pavarësisht se çfarë drejtimi mund të marrin bisedimet”,

thotë Selimi, duke nënvizuar edhe ai interesin amerikan për të penguar shtirjen e ndikimit rus në Ballkan.

Ndryshe, gjatë ditës, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev me optimizëm të lartë deklaroi se zgjidhja e kontestit të emrit është kah fundi. Madje ai ka shtuar se vendimi sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit është çështje ditësh.

“Do të jem i vëmendshëm, dhe besoj si ju, si qytetarët do të më kuptoni, sepse besoj se janë në pyetje ditët për përfundim dhe zgjidhje të suksesshme të këtij procesi”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, duke komentuar deklaratën e fundit të shefit të diplomacisë greke Nikos Kotzias, se tri opsionet që i kishte prezantuar ndërmjetësuesi i OKB-së, siç është Maqedonia e re, Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia e Veriut, janë propozimet që do të çonin kah zgjidhja e kontestit greko-maqedonas./REL