Urdhër ekzekutiv i Presidentit Biden për vlerësimin e mundësive ligjore

Presidenti Joe Biden formoi një komision dypalësh për të studiuar mundësitë për ndryshime të mundshme në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, përfshirë shtimin e numrit të gjykatësve përtej nëntë që ka aktualisht.

Kjo lëvizje duket se kënaq qëllimet e disa demokratëve liberalë që shpresojnë t’i japin fund shumicës konservatore në gjykatë.

Me një urdhër ekzekutiv të Presidentit, komisioni prej 36 anëtarësh do të vlerësojë ligjshmërinë e mundshme të reformave në organin më të lartë gjyqësor të vendit, duke përfshirë shtimin e numrit të gjykatësve ose kufizimin e mandatit të tyre, që aktualisht është i përjetshëm.

Numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ka mbetur nëntë që nga viti 1869, por Kongresi ka fuqinë të ndryshojë numrin dhe e ka bërë këtë disa herë përpara kësaj.

Vendosja e kufizimeve në mandatin e një gjykatësi ka të ngjarë të kërkojë një ndryshim kushtetues, megjithëse disa studiues kanë propozuar mënyra për ta përmbushur qëllimin pa shkuar deri aty.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se komisioni do të përfaqësojë të gjithë spektrin politik. Zonja Psaki tha se Presidenti Biden “beson se vendimi për t’u tërhequr i takon vetëm gjykatësit Breyer”.

Ai do të përfshijë studiues të fushës juridike, liberalë e konservatorë, ish-gjykatës federalë dhe avokatë që kanë mbrojtur çështje përpara gjykatës. Po kështu parashikohet zhvillimi i takimeve publike. Komisioni do të ketë 180 ditë afat për të raportuar gjetjet e tij.

Republikanët e kundërshtojnë ashpër idenë e të ashtuquajturës “mbushje e gjykatës”. Ish-Presidenti republikan Donald Trump arriti të emërojë tre gjykatës gjatë katër viteve të tij në detyrë, duke i dhënë këtij institucioni një shumicë konservatore 6 me 3.

Klan News