Shtetet e Bashkuara janë kundër tatimit me 100% të vlerës për mallrat serbe, të vendosura nga qeveria kosovare. Qëndrimin e shprehu zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë, Methju Palmer gjatë vizitës në Bosnje.

“Uashingtoni është kundër tatimit me 100% për produktet serbe, që ka vendosur qeveria kosovare. Kërkojmë heqjen e kësaj takse, pasi përbën pengesë për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.

Zv/ndihmës sekretari amerikan të shtetit shprehu mbështetjen e fortë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si e vetmja mënyrë, sipas tij, për të forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Palmer foli edhe për çështjen e emrit të Maqedonisë. Ai u shpreh optimist se vendi do të jetë anëtar i NATO-s brenda vitit 2020.

“Nuk mendoj se ka arsye për të mos e besuar që Maqedonia Veriore do të jetë anëtarja e 30 e NATO-s brenda 18 muajve. Është një objektiv kohor krejtësisht realist”.

Marrëveshjen e Prespës, Palmer e quajti si përpjekjen më pozitive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE e NATO.

Tv Klan