Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dalë në krah Britanisë së Madhe pas tensioneve të kësaj të fundit me Rusinë. Në një njoftim për mediat, Shtëpia e Bardhë thotë se

“është në solidaritet me aleatin e saj më të ngushtë Britaninë e Madhe”

, dhe mbështet vendimin e saj për të dëbuar 23 diplomatë rusë.

Zëdhënësja e Presidentit Donald Trump e cilësoi një përgjigje të drejtë vendimin e Britanisë dhe akuzoi Rusinë për minimin e sigurisë së vendeve në mbarë botën.

“Ky veprim i fundit nga Rusia përshtatet me një sjellje që shpërfill rendin dhe rregullat ndërkombëtare, minon sovranitetin dhe sigurinë e vendeve në mbarë botën dhe përpiqet të shkatërrojë institucionet e proceset demokratike perëndimore”

, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Ditën e djeshme Kryeministrja britanike Theresa May vendosi dëbimin nga vendi të 23 diplomatëve rusë, pasi Moska refuzoi të shpjegonte se si ka mundësi që një gaz nervor rus u përdor për të helmuar një ish-agjent sekret rus në Britani të Madhe.

Moska zyrtare vazhdon të mohojë çdo përfshirje në këtë sulm.

Ish-agjenti i dyfishtë Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia ndodhen në spital pas helmimit me gaz nervor. Skripal, i cili jeton në Britani, ka qenë i dënuar më parë si tradhëtar në Rusi.

/tvklan.al