Biden dhe Putin, asnjë përparim për uljen e tensioneve

Dhoma e Ulët e Kongresit Amerikan miratoi ndihmën 300 milionë dollarëshe për ushtrinë ukrainase, teksa presidentët Biden e Putin nuk bënë asnjë përparim në uljen e tensioneve në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë video-konferencës që zhvilluan të Martën.

Arritja më e madhe ishte zotimi i dy presidentëve për të vazhduar dialogun në nivele më të ulëta, me synim uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje mes Perëndimit dhe Rusisë për çështjen e Ukrainës.

Presidenti amerikan Joe Biden, siç kishte premtuar, nuk pranoi paktin e ofruar nga Vladimir Putin që garanton se NATO nuk do të vazhdojë të zgjerohet më tej në Europën Lindore. Ukraina ka kërkuar të anëtarësohet në NATO për të garantuar stabilitetin e vendit, që cenohet vazhdimisht nga fqinji i madh, Rusia.

Por nëse Ukraina afrohet me NATO-n, kjo i hap rrugën aleancës të ngrejë një bazë ushtarake shumë pranë kufirit me Rusinë. Për Moskën, ngritja e një baze të madhe përbën kërcënim për kufijtë perëndimorë të Rusisë, për më tepër që Ukraina konsiderohet nga Rusia si pjesë përbërëse e territoreve të saj, që mbetën jashtë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Tv Klan