Të premten Kremlini akuzoi Uashingtonin për nxitje të tensioneve me “veprime jomiqësore” pasi ambasada amerikane në Moskë tha se do të shkurtonte personelin dhe po ndalonte përpunimin e dokumentave për viza për një pjesë të madhe të shtetasve rusë.

Ambasada tha se po shkurtonte personelin konsullor me 75% dhe se duke filluar nga 12 maji, do të ndalonte përpunimin e vizave, që nuk kishin qëllim emigrimi, për udhëtime jodiplomatike, pas miratimit të një ligji të ri në Rusi, i cili vendos kufizime mbi numrin e personelit vendas që mund të punojë në misionet e huaja diplomatike.

Kjo do të thotë që rusët, të cilët nuk janë diplomatë, apo që nuk po aplikojnë për t’u pajisur me Kartën e Gjelbër (Green Card), nuk do të mund të aplikojnë brenda vendit të tyre për viza për të vizituar Shtetet e Bashkuara për turizëm e qëllime të tjera. Por në qoftë se kanë nevojë, ata mund të aplikojnë për këto lloje vizash në një vend të tretë.

Ministria e Jashtme ruse vuri në dukje se konsullatat ruse në Shtetet e Bashkuara po lëshonin viza pavarësisht nga shkurtimet në personelin e tyre diplomatik dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara mund ta plotësojnë personelin e tyre në ambasadë duke sjellë diplomatë amerikanë.

Zyrtarët rusë thonë se kuota e stafit diplomatik amerikan në Rusi është 455 persona dhe se vetëm 280 janë punonjës të akredituar, duke i dhënë Uashingtonit hapësirë të mjaftueshme për të shtuar numrin e tyre.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se vendimi i ambasadës amerikane do të kishte pak ndikim praktik sepse, siç tha ai, rusët kanë patur shumë probleme në vazhdimësi për të marrë viza amerikane.

Këtu duhet parë shkaku kryesor i situatës së tensionuar në marrëdhëniet tona dypalëshe“, u tha zoti Peskov gazetarëve.

Nëse sheh veprimet jomiqësore, atëherë bëhet e qartë se pararojë e gjithë kësaj janë veprimet e Shteteve të Bashkuara“, tha ai.

Zoti Peskov shtoi se Rusia “priste zhvillimeve më pozitive” në 100 ditët e para në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden-it.

Ai tha se Moska i mirëpriti masat për të zgjatur traktatin e ri të armëve bërthamore të quajtur “START”.

Por ky zhvillim pozitiv është shumë i vogël në krahasim me ngarkesën negativive që kemi grumbulluar gjatë këtyre 100 ditëve. Kjo ngarkesë fatkeqësisht mbizotëron“, tha ai.

Moska dhe Uashingtoni kanë mbajtur prej kohësh qëndrime të ndryshme për një sërë çështjesh, por lidhjet u përkeqsuan më tej kur zoti Biden tha se ai besonte se Presidenti Vladimir Putin ishte “një vrasës”.

Sanksionet

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë këtë muaj për veprimtari të dyshuar keqdashëse, përfshirë ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, sulmet kibernetike si dhe “presionin” ndaj vendit fqinj, Ukrainës.

Moska u hakmor me sanksione kundër Shteteve të Bashkuara dhe i ka hedhur poshtë kritikat e SHBA-së për trajtimin që i është bërë kritikut të burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalni.

Gjithashtu javët e fundit lidhjet e Rusisë me disa vende në Evropën Qendrore e Lindore janë përkeqësuar, duke çuar në një seri dëbimesh diplomatike.

Javën e kaluar, kur Presidenti Putin nënshkroi ligjin që kufizon stafin lokal të punësuar në misionet diplomatike, ai i kërkoi gjithashtu qeverisë të hartonte një listë të shteteve “jomiqësore” që do t’u nënshtroheshin kufizimeve.

Televizioni shtetëror rus publikoi një projektlistë në të cilën përfshiheshin ndër të tjera edhe Shtetet e Bashkuara.

Na vjen keq që veprimet e qeverisë ruse na kanë detyruar të zvogëlojmë personelin konsullor me 75%“, thuhej në një deklaratë të ambasadës amerikane.

Duke filluar nga 12 maji, ambasada amerikane në Moskë do të zvogëlojë shërbimet konsullore, duke ofruar shërbime vetëm për rastet urgjente për qytetarët amerikanë dhe një numër shumë të kufizuar të vizave të emigracionit të konsideruara urgjente“, thuhej gjithashtu në deklaratë.

Kam patur gjithmonë frikë nga “Perdja e Hekurt “, por aktualisht ajo nuk po imponohet nga ana jonë, por nga pala tjetër“, tha Ksenia Sobchak, një ish-kandidate për presidente të Rusisë./VOA