Presidenti Donald Trump ka urdhëruar ndalimin që të gjithë aeroplanët Boeing 737 Max të mos ngrihen në fluturim pas rrëzimit të avionit në Etiopi.

Ky urdhër emergjence nga kreu i Shtëpisë së Bardhë vjen pas vendimit të shumë vendeve të botës që ndalojnë fluturimet e këtij modeli amerikan avioni. Presidenti Trump tha se këta aeroplanë nuk do të fluturojnë deri sa Boeing “të dalë me një zgjidhje”. Vetë kompania u shpreh se do të pezullojë flotën prej 371 avionëve të modelit 737 Max.

Të dielën, një aeroplan Boeing me 157 persona në bord u rrëzua në Etiopi. Asnjë person nuk mbijetoi. Kjo është tragjedia e dytë ajrore brenda pesë muajve që rrëzohet një aeroplan model Boeing.

Më herët gjatë ditës së sotme, edhe Kanadaja ndaloi ngritjen në fluturim të avionëve Boeing 737 Max. Ministri i Transportit tha se kishte marrë prova të reja nga rrëzimi i aeroplanit në Etiopi. Sipas tij, ka ngjashmëri midis modeleve të aeroplanëve Boeing që fluturojnë në Kanada dhe atij që u rrëzua të dielën.

Ndërsa shefi ekzekutiv dhe kryetari i bordit të Boeing, u shpreh:

Po bëjmë gjithçka në bashkëpunim me hetuesit që të kuptojmë shkakun e aksidenteve, të përmirësojmë sigurinë dhe të ndihmojmë që kjo të mos ndodhë sërish. 

/tvklan.al