Mbështetje për çfarëdolloj zgjidhjeje paqësore që presidentët Thaçi e Vuçiç do të bien dakord në dialogun dypalësh. Këtë e shprehu ambasadori amerikan në Beograd, Kajll Skot gjatë një konference në Beograd për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Në Beograd shohim lëvizje të reja lidhur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Shpresojmë që një zgjidhje e pranueshme dhe e qëndrueshme të gjendet shpejt. Presidentët Thaçi e Vuçiç kanë mbështetjen tonë të plotë”.

Javët e fundit, presidenti kosovar Hashim Thaçi ka propozuar që vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë t’i nënshtrohet një procesi rishikimi. Kreu i shtetit serb Aleksandër Vuçiç e sheh me interes këtë propozim, pasi siç është shprehur ai kufiri me Kosovën është ekzistent pavarësisht se Serbia nuk e njeh, ndaj dhe Beogradi duhet të përballet me realitetin e ri. Propozimi ka marrë mbështetje nga këshilltari i presidentit Trump për sigurinë Xhon Bolton.

“Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që, nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial

”, ishte fjalia e këshilltarit të Trump pak kohë më parë.

Por disa vende europiane druhen se ky propozim i hap rrugë shkëmbimit të territoreve mbi baza etnike, çka kundërshtohet ashpër nga Gjermania, pasi mund të shkaktojë efekt domino duke rrezikuar stabilitetin e Ballkanit.

Tv Klan