Republikanët kundërshtojnë nismën e Biden për vaksinimin e detyruar

I gjithë globi vijon të mbetet i mbërthyer nga vala e re e koronavirusit, teksa në 24 orët e fundit shifrat e viktimave arritën sërish në afro 10 mijë. Situatën më të rëndë po e përjetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat javët e fundit po përballen me shifra të përafërta me kulmin e pandemisë Janarin e shkuar.

Në 24 orët e fundit, autoritetet atje raportuan për 171 mijë raste të reja dhe mbi 1700 viktima. Situata paraqitet problematike edhe në spitale të cilat po përballen me një fluks të shtuar të pacientëve që kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor.

Ndërkohë që nisma e presidentit amerikan, Joe Biden, për t’a bërë të detyrueshëm vaksinimin për disa kategori të caktuara të popullsisë, ka hasur në rezistencë nga liderët republikanë.

Ata thanë se ky vendim shkon përtej autoritetit kushtetues të presidentit, posaçërisht ideja që miliona amerikanë mund të humbasin vendet e punës nëse refuzojnë të vaksinohen kundër COVID-19.

Përveç SHBA edhe shumë shtete të tjera kanë vendosur ta bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për disa kategori të caktuara të popullsisë.

Në Hungari, kryeministri Viktor Orban ka thënë se vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë ata që kujdesen për persona të tjerë, ashtu si edhe Franca dhe Greqia.

Moska ndërkaq ka urdhëruar së fundmi vaksinimin e të gjithë personave që punojnë në industrinë e shërbimeve, vendim ky që vjen në një kohë kur Rusia po përballet me një numër të madh viktimash.

Vetëm në 24 orët e fundit autoritetet ruse raportuan për afro 800 humbje jete.

Tv Klan