Rritet bilanci i viktimave, 133 të vrarë në Gaza dhe 8 në Izrael

I dërguari i posaçëm amerikan mbërriti në Tel Aviv në përpjekje për të çtensionuar situatën ndërsa vazhdon dhuna midis Izraelit dhe palestinezëve.

Hady Amr do të marrë pjesë në bisedime me zyrtarë izraelitë, palestinezë dhe të Kombeve të Bashkuara për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi.

Herët të shtunën, Izraeli zhvilloi një fushatë të re bombardimesh në Gaza dhe militantët islamikë palestinezë u përgjigjën duke qëlluar raketa në drejtim të Izraelit. Përleshjet e regjistruara gjatë pesë ditëve të fundit shënojnë shkallën më të lartë të dhunës në rajon vitet e fundit.

Konflikti i armatosur filloi të hënën pas disa javë tensioni midis izraelitëve dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor. Përleshjet kulmuan me dhunën midis besimtarëve myslimanë dhe atyre hebraikë rreth xhamisë Al Aksa. Organizata terroriste Hamas e palestinezëve që kontrollon Rripin e Gazës, filloi të qëllojë raketa në drejtim të Izraelit duke kërkuar tërheqjen e forcave të sigurisë nga xhamia Al Aksa.

Deri tani të paktën 133 vetë janë vrarë Gaza dhe 8 në Izrael që prej fillimit të luftimeve. Zyrtarët e ministrisë palestineze të Shëndetësisë thanë se një sulm ajror izraelit herët të shtunën vrau të paktën 7 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, në një kamp refugjatësh në perëndim të qytetit të Gazës. Militantët në Gaza u përgjigjën me raketa që shënjestruan qytetin izraelit Beersheba.

Të premten, përplasjet u përhapën në Bregun Perëndimor, me të paktën 10 palestinezë të vrarë dhe qindra të plagosur. Forcat izraelite përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe artileri, ndërsa palestinezët hodhën bomba “Molotov”.

Klan News