bombardimeNë orët e para të mëngjesit forcat e armatosura amerikane për herë të parë ndërmorrën sulme nga ajri ndaj Shtetit Islamik në territorin e Sirisë dhe posaçërisht ndaj grupimit Korasan.

Në total, u qëlluan 47 raketa Tomahok nga një destrojer dhe një krujzer të marinës, të dislokuar respektivisht në ujrat e Detit të Kuq dhe në Gjirin Persik.

Po ashtu, u kryen edhe 14 sulme, ndër të cilët edhe me avionë F22 dhe mjete fluturuese pa pilotë. Sipas Pentagonit, 5 shtete të Lindjes së Mesme morën pjesë në këtë mission të parë, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Jordani, Bahreini dhe Katari, por pa specifikuar kontributin e tyre.

Vetë, Presidenti amerikan Barak Obama tha se bashkëpunimi në këtë nivel në këtë rajon i shërben sigurisë së përbashkët të globit.

Barack Obama – President i SHBA: Fuqia e këtij koalicioni ia bën të qartë botës, se kjo nuk është luftë vetëm e Amerikës. Mbi të gjitha, njerëzit dhe qeveritë në Lindjen e Mesme e refuzuan ISIS dhe po bashkëpunojnë për paqen dhe sigurinë e popujve të rajonit dhe të botës, që meritojnë!”

Ai konfirmoi se shumë shpejt, Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere do të vënë në zbatim planin e armatosjes dhe trajnimt të asaj pjese të opozitës siriane që po lufton në dy fronte, si kundër regjimit të Asadit, ashtu edhe kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Nga njoftimet është konfirmuar se të paktën 70 militantë janë vrarë, ndërsa dhjetëra objekte që përdoreshin prej tyre si vend-komanda, si qendra trajnimi, apo si depo për materiale ushtarake ose janë shkatërruar, ose janë dëmtuar rëndë. Xhihadistët thanë se një avion pa pilot është shkatërruar nga zjarri i artilerisë së tyre.

Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë më shumë se 190 sulme nga ajri ndaj Shtetit Islamik në Irak dhe Siri që prej 8 gushtit.

Ndërkaq, tensionet në kufirin siriano-turk janë të larta, ku sipas vlerësimeve janë mbi 130 mijë persona që ditët e fundit e kanë kaluar atë për të shmangur barbaritë e xhihadistëve.

Ankara ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe trazirash ka deportuar mbi 1 mijë luftëtarë të Shtetit Islamik për në 75 vende të origjinës së tyre.

Tv Klan