Anulohet “International Champions Cup”

Nëpërmjet një komunikate zyrtare organizatorët e turneut të miqësoreve të luksit International Champions Cup kanë deklaruar se ky eveniment mes skuadrave më të mëdha në botë këtë verë nuk do të mbahet. Për shumë tifozë në SHBA kjo përkthehet se në SHBA nuk do të luhet një El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madrid, ashtu siç mësohet se ishte programuar.

 Dy skuadrat janë përballur me njëra tjetrën për herë të parë në Amerikë në 2017. Për ndeshjen që do të luhej këtë verë negociatat kishin nisur prej kohësh. Ishte parashikuar madje që sfida të mbahej në Las vegas. Anulimi i këtij takimi është edhe një goditje financiare për dy klubet që do të kenë një fitim të munguar prej 15 milionë eurosh.

Për shkak të bllokimit të kampionateve klubet në mbarë botën po përballen me vështirësi financiare pasi nuk po arkëtojnë nga e drejta televizive dhe sponsorët në një kohë kur po paguajnë ende rrogat e futbollistëve, madje sipas këshillës së FIFA-s do të duhet ti shtyjnë kontratat e atyre që përfundojnë më 30 qershor.

Tv Klan