Sulmi rus pranë kufirit me Poloninë, provokim!

Varshava e konsideron provokim për NATO-n, sulmin me predha të ushtrisë ruse në bazën e Javorivit në Ukrainë, që ndodhi të Dielën më pak se 15 kilometra larg kufirit me Poloninë, e ku humbën jetën 35 persona, siç pohoi zv/ministri i Jashtëm polak në një intervistë për mediat britanike

“Është e sigurt që Rusia po teston durimin e NATO-s. Rusia po përpiqet të na kërcënojë”.

Numri 2 i diplomacisë polake është në të njëjtën linjë me presidentin Andzhej Duda, se aleanca duhet të përgatitet për një kundërpërgjigje të fortë të frenuar Rusinë.

“Duhet të jemi të përgatitur, por edhe Rusia duhet të kuptojë dallimin që ka me NATO-n. Ne jemi aleanca më e madhe në botë me ushtrinë më të fuqishme”.

Polonia ka mbajtur qëndrimin më të ashpër mes vendeve të aleancës kundër sulmit rus në Ukrainë dhe ka mbështetur deri dërgimin e avionëve në ndihmë të forcave ukrainase.

Ndërkohë SHBA kanë paralajmëruar Kinën me sanksione nëse vendos të dërgojë armë në Moskë. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë biseduan për rreth 7 orë me diplomatët kineze. Pekini i ka hedhur poshtë këto zëra duke akuzuar Uashingtonin për shpërndarje të informacioneve të rreme.

Ndërkohë Media prestigjioze perëndimore japin alarmin se ky konflikt rrezikon të përfshijë në luftë me Rusinë edhe NATO-n, duke shkaktuar një luftë të tretë botërore. Financial Times paralajmëron përmes një analize se sulmi rus në Javoriv shton mundësinë e zgjerimit të konfliktit përtej territorit ukrainas. Ndërsa Nju Jork Tajms shtron pyetjen se tani që u godit një objektiv ushtarak në portat e aleancës, deri ku do të shkojë Vladimir Putin?

Tv Klan