SHBA paralajmëron për sanksione ndaj Rusisë nëse nuk tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën



SHBA paralajmëron për sanksione ndaj Rusisë nëse nuk tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën

18:59 01/12/2021

Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe NATO-ja paralajmëruan sërish Rusinë për “pasoja serioze” ndaj çdo veprimi përshkallëzimi me Ukrainën. Në komentet gjatë një udhëtimi në Letoni dhe Suedi për takime me aleatët e NATO-s, zoti Blinken paralajmëroi Rusinë se nëse nuk tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën, do të përballet me sanksione serioze nga ana e Shteteve të Bashkuara. Nga ana e tij Presidenti Putin propozoi të mërkurën fillimin e diskutimeve për marrëveshje që do të përjashtonin zgjerimin e aleancës drejt lindjes.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken mori pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga të Letonisë, në një kohë kur janë rritur shqetësimet lidhur me grumbullimin e dhjetra-mijëra trupave dhe forcave të blinduara ruse pranë kufirit me Ukrainën. Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara e kanë parë këtë skenar të Moskës shumë herë më parë, duke përmendur si shembull aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

“Çdo veprim përshkallëzues nga Rusia do të përbënte një shqetësim të madh për Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe për Letoninë, dhe çdo rigjallërim agresioni do të shkaktonte pasoja të rënda”, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin i hodhi poshtë këto shqetësime.

“Ata (vendet perëndimore) folën për hyrjen e mundshme të trupave ruse në Ukrainë në fillim të vitit. Por siç mund ta shihni, kjo nuk ndodhi”, tha ai.

Por të mërkurën, ai bëri thirrje për bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre lidhur me çështjen e zgjerimit të NATO-s në lindje.

“Në dialog me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, ne do të insistojmë në zhvillimin e marrëveshjeve konkrete që do të përjashtonin çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në Lindje dhe vendosjen e armëve që na kërcënojnë pranë territorit të Rusisë. Ne propozojmë fillimin thelbësor të bisedimeve për këtë çështje.”

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një intervistë se u takon vendeve si Ukraina dhe vetë aleancës të vendosin nëse këto vende anëtarësohen, jo Rusisë. Edhe ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se Rusia nuk ka të drejtën të kërkojë garanci kundër zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.

Ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s mbanin takime me dyer të mbyllura për të koordinuar një përgjigje të mundshme ndaj Rusisë, Michael Kimmage i Fondit Marshall Gjerman thotëse diplomacia është vendimtare në këtë moment paqëndrueshmërie për të shmangur një luftë të mundshme.

“Po bëhet fjalë për mundësinë e një lufte të madhe në territorin evropian, diçka që nuk ka ndodhur që nga viti 1945. Do të ishte ndryshe nga Jugosllavia për shkak të vendeve që janë në rajon. Mendoj se është shumë e mundur që nëse fillon një luftë të vërtetë midis Ukrainës dhe Rusisë, Polonia, Lituania dhe republikat baltike mund ta shohin të nevojshme të hyjnë në luftë në anën e Ukrainës”, thotë analisti.

Presidenti Joe Biden do të zhvillojë një takim virtual me zotin Putin në dhjetor. Judy Dempsey e organizatës Carnegie Europe beson se diplomacia e nivelit të lartë mund të sjellë më shumë rezultate sesa sanksionet.

“Duhet të kemi një dialog serioz midis Uashingtonit dhe Moskës. Nuk mund ta përballojmë luftën. Do të ishte e tmerrshme për njerëzit në Ukrainë. Dhe nuk jam aq e sigurt që publiku rus do ta preferonte një gjë të tillë, po të shohim sondazhet”, thotë ajo.

Zonja Dempsey i tha Zërit të Amerikës se presidenti Putin shpesh krijon kriza në politikën e jashtme për ta larguar vëmendjen nga problemet e brendshme, si vënia nën kontroll e pandemisë COVID-19 dhe përqindja e lartë e vdekjeve në Rusi./VOA








Të ngjashme