SHBA, plane për dërgimin e një sasie vaksinash në Kanada e Meksikë


SHBA, plane për dërgimin e një sasie vaksinash në Kanada e Meksikë

22:20 20/03/2021

Kina është shndërruar në furnizuesin kryesor me vaksina të Amerikës Latine ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballen me kritika për mos ndarjen e rezervave të vaksinave me fqinjët e tyre. Siç raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, Shtëpia e Bardhë thotë se administrata e Presidentit Biden po punon tashmë për hartimin e një plani për shpërndarjen e vaksinave.

Në këtë klinikë në La Paz të Bolivisë është ndezur shpresa, falë vaksinave kineze, Sinovac dhe Sinopharm.

Bolivia, sikurse vendet e tjera të Amerikës Latine, është goditur rëndë nga COVID-19.

Kina thotë se ka në plan të sigurojë vaksina për 53 vende të botës, shumë prej tyre në Amerikën Latine. Synimi sipas Pekinit është ta bëjë imunizimin të arritshëm e të përballueshëm.

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se ai është përqëndruar tek vaksinimi i të gjithë amerikanëve përpara se t’i eksportojë ato. Por administrata e tij po përballet gjithnjë e më shumë me pikëpyetje se pse SHBA nuk po i ndan rezervat e saj në vaksina me fqinjët e saj, veçanërisht dozat e magazinuara të vaksinës së AstraZeneca-s, e cila nuk është miratuar për përdorim në Shtetet e Bashkuara.

Por tashmë Shtëpia e Bardhë thotë se administrata ka në plan të ndajë disa doza të AstraZeneca-s, fillimisht me fqinjët e saj, Kanadanë dhe Meksikën.

Mund të konfirmoj se kemi në dispozicion 7 milionë doza të AstraZeneca-s. Po punojmë për të përfunduar planet që 2.5 milionë prej tyre t’ia japim hua Meksikës dhe 1.5 milionë Kanadasë“, thotë Jen Psaki, sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Ekspertët thonë shpërndarja e një sasie shumë më të madhe pajisjesh mjekësore nga ana e Kinës, menjëherë pas fillimit të pandemisë në Wuhan, i ka dhënë Pekinit një nxitje diplomatike dhe një avatazh ekonomik në Meksikë, Brazil dhe kombet e tjera në zhvillim.

Kina ka qenë në gjendje të përmbajë pandeminë brenda kufijve të saj në mënyrë më efektive sesa Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera perëndimore. Kjo do të thotë se ka më pak kërkesë për vaksina në Kinë dhe kjo i jep qeverisë kineze më shumë hapësirë për të dërguar vaksina jashtë vendit“, thotë Trevor Sutton, i Qendrës për Progresin Amerikan.

Por gjatë vizitës së tij në Azi, Sekretari i Shtetit Antony Blinken, paralajmëroi se diplomacia mjekësore e Kinës shoqërohet me kushte gjë për të cilën pajtohen shumica e ekspertëve që thonë se nuk ka asgjë “të butë” tek qasja e Kinës.

Mënyra se si kinezët po trajtojnë shpërndarjen e vaksinave nuk është një qëndrim humanitar prej shpirtmadhi, por një qasje mjaft agresive që në thelb kërkon që Huawei të ketë qasje tek kontratat e telekomunikacionit në Amerikën Latine, e të sigurojë që të mos ketë qasje miqësore ndaj Tajvanit në të gjithë rajonin“, thotë Benjamin Gedan, i Qendrës Wilson.

Presidenti Biden thotë se ai dëshiron që të gjithë amerikanët që kualifikohen për të marrë vaksinën të jenë në gjendje të regjistrohen për një të tillë deri me 1 maj. Ai shpreson që njerëzit do të jenë në gjendje të mblidhen në mënyrë të sigurt në grupe të vogla sërish për festën e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së vendit. Ekspertët thonë se sapo kjo gjë të ndodhë, SHBA ka të ngjarë të bëhet eksportuesi kryesor i vaksinave në të gjithë botën./VOA







Të ngjashme