SHBA publikon të dhëna për përfshirjen e Iranit në sulmin e rafinerive të naftës

SHBA publikon të dhëna për përfshirjen e Iranit në sulmin e rafinerive të naftës

11:47 16/09/2019

Shtetet e Bashkuara kanë publikuar pamje satelitore dhe kanë cituar zyrtarë të inteligjencës për të mbështetur pretendimin se Irani ka qenë mbrapa sulmeve në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite.

Irani ka mohuar përfshirjen në sulmet ajrore që kanë ndodhur të shtunën, të cilat është pretenduar të jenë kryer nga rebelët huthi në Jemen, që janë të lidhur me Iranin.

Disa zyrtarë amerikanë kanë thënë për mediat ndërkombëtare se drejtimi dhe madhësia e sulmit ngre dyshime për përfshirjen e rebelëve huthi.

Ky incident ka zvogëluar furnizimet me naftë për 5 për qind, çka ka ndikuar në rritje të çmimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka fajësuar Iranin gjatë fundjavës, pa ofruar të dhëna, duke nxitur Teheranin që ta akuzojë Uashingtonin për mashtrim.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter të dielën, presidenti amerikan, Donald Trump po ashtu ka akuzuar Iranin, si dhe nuk ka përjashtuar veprimet ushtarake kur të bëhet i ditur kryesi i sulmit.

Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë kanë dhënë deklarata për mediume të ndryshme ndërkombëtare, si New York Times, ABC dhe Reuters.

Një zyrtar ka thënë se ekzistojnë 19 zona të ndikimit në shënjestra dhe sulmet janë nisur nga perëndimi e veriperëndimi dhe jo nga territori i kontrolluar nga rebelët huthi në Jemen, që shtrihet në pjesën jugperëndimore të rafinerive të naftës saudite.

Sipas këtij zyrtari sulmet mund të jenë nisur nga zonat në veri të Gjirit Persik, përkatësisht Iranit apo Irakut.

Një fotografi që tregon në afërsi tanket në impiantin e përpunimit Abqaiq tregon se zona është dëmtuar nga ana perëndimore.

Zyrtarët e cituar në të përditshmen, New York Times, kanë thënë se mund të jenë pozicionuar një varg dronësh dhe raketash, mirëpo jo të gjitha kanë goditur shënjestrat e tyre në rafineritë Abqaiq dhe Khurais.

ABC ka cituar një tjetër zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se Trump është plotësisht i vetëdijshëm që Irani është përgjegjës. /REL

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT
Doktori