Kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se nevojiten masa më të ashpra

Departamenti i Shtetit të SHBA-së dhe qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë këshilluar qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë në Gjermani dhe Danimarkë për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhanë paralajmërimin e nivelit të 4 i cili nënkupton se duhet shmangur udhëtimi në këto dy vende evropiane.

Aktualisht në mesin e vendeve për të cilat SHBA-ja ka dhënë paralajmërimin e nivelit 4 për udhëtim janë vende të tilla si Austria, Britania e Madhe, Belgjika, Greqia, Norvegjia, Zvicra, Rumania, Irlanda dhe Republika Çeke.

Numri i rasteve në Gjermani ka qenë në rritje e për këtë arsye Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se masat që po ndërmerren për të ndaluar përhapjen e koronavirusit janë të pamjaftueshme  dhe se nevojiten veprime më të forta.

Shkalla aktuale e transmetimit në 53 vende evropiane është mjaft shqetësuese pasi rastet e reja po i afrohen niveleve rekord për shkak të variantit Delta.

Në fillim të këtij muaji, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vendet europiane duhet të punojnë më shumë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit ndërsa fatalitet dhe rastet e reja rriten.

Klan News