Mbyllen baret dhe restorantet në 3 shtete federale

Vetëm 2 javë pas hapjes, bareve, restoranteve dhe aktiviteteve të tjera argëtuese do t’u vihet sërish kyçi në disa qytete jugore të Shteteve të Bashkuara. Jugu i vendit ka pësuar shtim të jashtëzakonshëm të rasteve të infektimit me Covid-19 pas lehtësimit të masave parandaluese, duke detyruar autoritetet të vendosin rikthimin e tyre.

Masat bllokuese po rikthehen në disa qytete të shteteve federale të Kalifornisë, Teksasit e Floridës, që janë shndërruar në vatrat më të reja të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet thonë se shtimi i rasteve ka ardhur pasi qytetarët nuk i kanë respektuar masat e distancimit social dhe rregullin për mbajtjen e maskave në ambiente të populluara.

Deri më tani, Covid-19 ka prekur 0.8% të popullsisë amerikane, mbi 2.6 milionë njerëz, prej të cilëve mbi 128 mijë kanë humbur jetën.

Masat bllokuese po i rikthejnë edhe vende të tjera të botës, ku infektimet nga Covid-19 po rriten sërish. Mes tyre janë edhe Kina që ka rivendosur në karantinë gjysmë milioni njerëz, por edhe vende europiane si Gjermania.

Megjithatë, Kombet e Bashkuara thonë se masat bllokuese i kanë shkaktuar turizmit global qindra miliona dollarë dëme. Aktualisht në gjithë globin përllogariten mbi 10.2 milionë të prekur, prej të cilave mbi 504 mijë kanë humbur jetën.

Tv Klan