Misionet e Shteteve të Bashkuara në Turqi do të rifillojnë shërbimet e plota të vizave pasi kanë marrë garanci për sigurinë e stafit konsullor amerikan nga Qeveria turke.

SHBA-ja ka ndërprerë të gjitha shërbimet për viza jomigruese, pas arrestimit të një punonjësi të saj konsullor në muajin tetor.

Punonjësi është arrestuar nën dyshimet se ka pasur lidhje me klerikun fetar turk, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për organizimin e përpjekjes për grushtshtet, në korrik të vitit të kaluar.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se “është i bindur se siguria është përmirësuar mjaftueshëm”.

Ambasada turke në Uashington e mirëpriti vendimin e SHBA-së dhe tha se kufizimet e vizave për shtetasit amerikanë, të vëna gjatë mosmarrëveshjeve, do të hiqen po ashtu.

/REL