Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën për të përballuar agresionin e Rusisë. Sipas Pentagonit paketa e ndihmës së re ushtarake do të jetë 300 milionë Dollarë.

Amerikanët do të furnizojnë ushtrinë e Ukrainës me raketa të teknologjisë së fundit të drejtuara me lazer si dhe me dronë ushtarake. Tek dronët me të rendesishëm janë ata që quhen Kamikazë pasi janë të pajisura me koka shpërthyese dhe kanë një efektshmëri të lartë.

Gjithashtu amerikanët po përpiqen që të furnizojnë Ukrainën edhe me tanke të periudhës sovjetike. Këto tanke do të merren nga aleatet e NATO-s që kanë qenë më parë pjese e bllokut komunist.

Përsa i përket luftimeve ato vazhdojnë me intensitet të lartë në zonat jugore e lindore. Në Mariupol situata humanitare mbetet tejet kritike. Presidenti i Ukrainës, Zelensky ka deklaruar se deri më tani në Mariupol janë vrarë 5 mijë qytetarë, ndërsa 170 mijë civilë kanë mbetur të bllokuar.

Forcat ruse kanë vijuar tërheqjen e tyre në veri të Ukrainës. Tashmë ato janë larguar nga periferia e Kievit, por kanë shtuar presionin në zonat lindore. Gjatë natës rusët kanë bombarduar rajonet e Poltavës e Luhanskut.

Sipas analistëve ushtarakë ruset tani do të përqendrojnë sulmet e tyre në zonat lindore e jugore për të krijuar një linje të bashkuar të Donbasit me Krimenë, që i kanë pushtuar prej kohësh.

Klan News