SHBA sanksione kundër shumë zyrtarëve kubanë për shtypjen e protestave


SHBA sanksione kundër shumë zyrtarëve kubanë për shtypjen e protestave

22:11 31/07/2021

Administrata e Presidentit Biden ka vendosur sanksione ndaj forcave policore të Kubës dhe dy udhëheqësve të saj pas protestave të fundit në vendin ishull kundër qeverisë komuniste.

Presidenti amerikan Joe Biden tha në fillim të një takimi të premten me udhëheqësit kubano-amerikanë se do të vihen më shumë sanksione “nëse nuk ka ndonjë ndryshim drastik në Kubë, të cilin unë nuk e parashikoj”, tha presidenti.

“Ne dëgjojmë klithmat e lirisë që vijnë nga ishulli. Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime të bashkërenduara për të forcuar kauzën e popullit kuban”, tha Presidenti Biden.

Presidenti tha gjithashtu se ai kishte udhëzuar departamentet e Thesarit dhe të Shtetit që t’i raportonin atij brenda një muaji se si mund të lejohen amerikanët të dërgojnë para tek të afërmit e tyre pa përfituar qeveria kubane.

Më herët të premten, Departamenti i Thesarit njoftoi sanksione të reja ndaj Kubës, duke thënë se ato ishin një përgjigje ndaj “veprimeve për të shtypur protestat paqësore, pro-demokratike në Kubë që filluan më 11 korrik”.

Demonstrata të mëdha

Mijëra kubanë dolën në rrugë më 11 korrik në demonstratat më të mëdha kundër qeverisë kubane në dekada. Demonstruesit protestuan kundër mungesës së mallrave bazë, ndërprerjeve të energjisë, kufizimeve në liritë civile dhe trajtimit të pandemisë nga qeveria.

“Departamenti i Thesarit do të vazhdojë të përcaktojë dhe veçojë me emër ata që lehtësojnë përfshirjen e regjimit kuban në abuzime serioze të të drejtave të njeriut,” tha në një deklaratë Andrea Gacki, drejtor i Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja. “Veprimi i sotëm shërben për të mbajtur më tej përgjegjës ata që duhet të japin llogari për shtypjen e thirrjeve të popullit kuban për liri dhe respektim të të drejtave të njeriut.”

Sanksionet synojnë forcën policore kombëtare të ministrisë së brendshme të Kubës, si dhe drejtorin e forcës, Oscar Callejas Valcarce, dhe zëvendës drejtorin, Eddy Sierra Arias.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në një deklaratë të premten se Shtetet e Bashkuara “kërkojnë të imponojnë masa që të sjellin pasoja të prekshme dhe të rëndësishme për të dekurajuar aktorët keqdashës” në Kubë.

“Ne e njohim trimërinë e popullit kuban dhe të protestuesve që u ngritën kundër policisë së qeverisë kubane dhe i dërguan një mesazh botës”, tha ai.

Drejtues të komunitetit kubano -amerikanë i kanë kërkuar administratës Biden të bëjë më shumë për të mbështetur protestuesit kubanë.

Qasja në Internet

Zyrtarët amerikanë thonë se administrata Biden po kërkon gjithashtu mënyra për të siguruar qasje në internet për kubanët. Shërbimi i internetit u ndërpre në një moment gjatë protestës së 11 korrikut.

“Amerikanët kubanë janë të indinjuar sepse të dashurit e tyre vuajnë dhe kjo është, sinqerisht, e patolerueshme,” tha Presidenti Biden të premten.

Javën e kaluar, Departamenti i Thesarit njoftoi sanksione ndaj ministrit të mbrojtjes të Kubës, Varlvaro López Miera, dhe një njësie të forcave speciale të ministrisë së brendshme.

Përveç sanksioneve të vendosura të premten, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja vazhdon të zbatojë programin e sanksioneve ndaj Kubës, i cili është programi më i gjithanshëm i sanksioneve i administruar nga kjo zyrë, thuhet në deklaratë./VOA






Të ngjashme