Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin sanksione të reja Rusisë pasi kanë vlerësuar se kjo e fundit ka përdorur agjent nervor kundër ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri muaj më parë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur këtë njoftim ditën e mërkurë.

“Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se sipas Aktit të vitit 1991 për Kontrollin e Armëve Kimike dhe Biologjike, se Qeveria e Federatës Ruse ka përdorur armë kimike apo biologjike në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar ose ka përdorur armë kimike apo biologjike kundër shtetasve të vet”

, ka thënë zëdhënësja e këtij Departamenti, Heather Nauert.

Skripalët ishin gjetur pa ndjenja afër një stoli në Sallsbëri të Anglisë më 4 Mars. Pas disa javësh të shërimit ata tanimë janë liruar nga spitali.

Perëndimi akuzon Rusinë për përdorim të agjentit nervor, Noviçok kundër Skripalëve.

Agjenti në fjalë është substancë e kategorisë ushtarake e zbuluar nga ushtria sovjetike në kohën e Luftës së Ftohtë.

Moska në anën tjetër mohon çdo keqbërje./REL