Blinken: Edhe familja e tij, e papërshtatshme për të hyrë në SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallin non grata ish-Kryeministrin Sali Berisha. Në një deklaratë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, të publikuar në faqen e Departamentit, jepen edhe arsyet e këtij vendimi, i pari në historinë e Shqipërisë për një ish-Kryeministër dhe ish-President.

“Sot, unë jam duke shpallur emërimin publik të Sali Berishës, një ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion thelbësor. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në dëm të besimit të publikut dhe të institucioneve dhe zyrtarëve. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.

Përveç Berishës, Sekretari Amerikan i Shtetit, thotë se e njëjta masë është marrë edhe për familjarët e tij.

“Përveç Berishës, unë po caktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berishën, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajza, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”.

Sekretari Blinken thekson se emërtimi riafirmon angazhimin e përkrahjes së SHBA për reformat politike kryesore për institucionet demokratike të Shqipërisë.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”, mbyllet deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Tv Klan