SHBA-të kërkojnë 12.6 miliardë $ nga “El Chapo”

SHBA-të kërkojnë 12.6 miliardë $ nga “El Chapo”

15:30 06/07/2019

12.6 miliardë dollarë është shuma marramendëse që drejtësia në Shtetet e Bashkuara i kërkon Mbretit meksikan të drogës, Hoakin Guzman, i njohur me nofkën “El Chapo”.

Prokurorët federalë paraqitën kërkesën për konfiskim të premten gjatë seancës gjyqësore të kreut të kartelit të Sinaloas. Sipas tyre, kjo shumë është e barazvlefshme me pasurinë dhe pronat që ka përfituar “El Chapo” nga trafiku i Kokainës, heroinës dhe kanabisit ne territorin amerikan.

Por për avokaten mbrojtëse të narko-trafikantit, Mariel Colon, është çmenduri vetëm të mendohet që El Chapo i ka të gjitha ato para.

Sipas palës mbrojtëse, pas disa viteve të kaluara në burg, mbreti i drogës ka pasur probleme ekonomike. Megjithatë akuza amerikane pretendon se shuma e kërkuar nuk është e gjithë pasuria e “El Chapo”-s, dënimi për të cilin pritet të jepet në mes të këtij muaji.

Narkotrafikanti meksikan u bë i famshëm në mbarë botën, pas arratisjes spektakolare në 2015 nga burgu i sigurisë së lartë në Meksikë, përmes një tuneli 1.5 km të gjatë. Ai u arrestua në 2016 nga autoritetet dhe u ekstradua 1 vit më pas për në Shtetet e Bashkuara.

Hoakin “El Chapo” Guzman, pritet të dënohet me burgim të përjetshëm pa të drejtë ankimi.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
UKT