Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë të premten se personat e vaksinuar plotësisht mund të udhëtojnë në mënyrë të sigurt brenda Shteteve të Bashkuara pa u testuar para ose pas udhëtimit.

Drejtorja e CDC-së, Rochelle Walensky i bëri të ditura udhëzimet e reja gjatë konferencës për shtyp të ekipit të Shtëpisë së Bardhë për COVID-19-ën. Ajo shtoi se CDC ende nuk rekomandon udhëtime jo të domosdoshme për ata që nuk janë plotësisht të vaksinuar.

CDC-ja gjithashtu rekomandon që udhëtarët plotësisht të vaksinuar të vazhdojnë të mbajnë maska, të mbajnë 2 metra distancë fizike dhe të lajnë duart rregullisht.

Dr. Walensky u pyet nëse udhëzimet e reja do të thonë se ajo nga e ka më ndjesinë e shqetësimit të thellë që ajo përshkroi më parë këtë javë në lidhje me pandeminë.

Drejtorja e CDC-së tha se udhëzimet e reja të udhëtimit janë vetëm për njerëzit e vaksinuar plotësisht. Ajo shtoi se mesatarja ditore e rasteve të reja me COVID-19 gjatë shtatë ditëve të fundit ka vazhduar të rritet dhe tani është rreth 62,000 raste të reja çdo ditë. Ajo tha se të premten, kishte patur 64,000 raste të reja, duke reflektuar një rritje prej 8% në normën ditore.

Dr. Walensky tha se duke qenë se vetëm 20% e popullatës amerikane në moshë të rritur është vaksinuar plotësisht, ajo vazhdon të jetë e shqetësuar se Shtetet e Bashkuara kanë ende shumë për të bërë për të kontrolluar pandeminë.

Ndërkohë, këshilltari i lartë presidencial për COVID-19, Anthony Fauci u pyet se si i përballon sulmet personale nga pjesëtarë të publikut dhe disa anëtarë të Kongresit.

Në llogarinë e saj në Twitter të Enjten, anëtarja republikane e Kongresit nga Xhorxhia, Marjorie Taylor Green bëri thirrje që Dr. Fauci të shkarkohet, pa dhënë ndonjë arsye konkrete.

Dr. Fauci tha se puna e tij është shumë e rëndësishme dhe prandaj ai nuk mund t’i lejojë këto komente ta bëjnë atë të humbasë vëmendjen nga pandemia./VOA