Ashtu siç pritej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zyrtarisht jashtë marrëveshjes bërthamore me Iranin, e firmosur në vitin 2015.

Presidenti Donald Trump njoftoi vendimin nga zyra ovale, duke përsëritur se marrëveshja e firmosur nga administrata Obama është e kalbur dhe të tmerrshme për amerikanët.

“Lajmëroj sot se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Do të rivendosim gjithashtu edhe sanksionet ndaj regjimit iranian. Do të jenë sanksionet më të forta ekonomike të vendosura ndonjëherë dhe do të prekin gjithashtu çdo vend që kërkon armë bërthamore nga Irani. Amerika nuk do të mbetet peng e kërcënimit bërthamor”.

Presidenti Trump theksoi se ky ishte një vendim që ai e kishte paraprirë disa herë dhe prova e radhës që ai i mban premtimet.

Pritet reagimi i Teheranit dhe firmëtarëve të tjerë të marrëveshjes. Më herët, Presidenti iranian Hasan Ruhani tha në një intervistë se Teherani mund t’i qëndrojë marrëveshjes, nëse vazhdimësia e saj garantohet nga vendet e tjera.

Marrëveshja parashikon ngrirjen e programit bërthamor të Iranit, por nuk përjashton testet raketore balistike, çka për Trump-in është një turp. Rezultuan të kota tentativat e presidentit francez Emmanuel Macron, kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të jashtëm britanik Boris Johnson, për të bindur Trump-in të qëndrojë.

Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu udhëtimin e Mike Pompeo-s në Korenë e Jugut, këtë herë zyrtarisht si Sekretar Shteti, për të përgatitur takimin e afërt me liderin komunist Kim Jong-un.

Tv Klan