Të gjithë diplomatët amerikanë dhe familjarët e tyre të vendosur në Stamboll, urdhërohen të largohen nga Turqia për shkak se janë në rrezik nga terrorizmi.

Urdhri është lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili paralajmëron të gjithë punonjësit në Stamboll se mund të jenë shënjestër e sulmeve apo rrëmbimeve nga ekstremistët vendas dhe të jashtëm.

Urdhri për largimin e menjëhershëm përfshin vetëm personelin e Konsullatës Amerikane në Stamboll, e jo diplomatët në të gjithë vendin.

Gjithashtu, në njoftim këshillohen edhe shtetasit amerikanë të shmangin për një periudhë të pacaktuar udhëtimet në juglindje të Turqisë.

Vala e anti-amerikanizmit mbetet e lartë në Turqi, pavarësisht statusit që gëzon Turqia si aleat strategjik i SHBA-ve në NATO dhe në luftën kundër ISIS.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Ankarasë janë rritur ndjeshëm që prej grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik. Turqi akuzon imamin e strehuar në SHBA, Fetullah Gylen, si organizator dhe dyshon për përfshirjen e Uashingtonit. Ajo ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e tij, por Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar./ TV KLAN