Shtetet e Bashkuara reduktojnë kontributin financiar për OKB-në. Një vendim që nga analistët shihet si hakmarrje pasi shumica e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate votuan kundër vullnetit të Uashingtonit për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Shtetet e Bashkuara do të reduktojnë 285 milionë dollarë, kontributin financiar për buxhetin e OKB-së, në periudhën 2018-2019. Bëhet fjalë për një reduktim me 8.6% krahasuar me kontributin për vitin e mëparshëm.

Përmes një deklarate për shtyp të misionit diplomatik amerikan në Kombet e Bashkuara, Uashingtoni lë të kuptohet se reduktimi i kontributit është pasojë politikave të kësaj organizate që shkojnë përkundër interesit të Shteteve të Bashkuara. OKB shpenzon shumë para dhe në mënyrë jo-efikase.

Presidenti amerikan Donald Trump e përmendi këtë masë si ndëshkim ndaj atyre vendeve që votuan në favor të rezolutës anti-amerikane për çështjen e Jeruzalemit. Shtetet e Bashkuara janë kontributorët kryesorë në buxhetin vjetor të Kombeve të Bashkuara. Uashingtoni jep 22% të buxhetit të OKB-së që në vitin 2017 arriti në 7.8 miliardë dollarë.

Tv Klan