Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump do ta bëjë më të vështirë eksportin e softuerëve të inteligjencës artificiale, si pjesë e një përpjekje për të mbajtur teknologjitë e ndjeshme jashtë duarve të fuqive rivale si Kina.

Sipas një rregulli të ri që hyn në fuqi të hënën, kompanitë që eksportojnë lloje të caktuara të programeve të imazheve gjeohapësinore nga Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë licencë për ta dërguar atë jashtë shtetit.

Masa nuk vlen për Kanadanë. Rregulli do të hyjë në fuqi vetëm në Shtetet e Bashkuara, por autoritetet amerikane më vonë mund ta paraqesin atë pranë organeve ndërkombëtare si përpjekje për të bindur edhe vendet tjera të miratojnë masa të njëjta.

Ka pasur një zhgënjim në rritje nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë për zvarritjen e procesit të rregullave të reja, që forcojnë kontrollet e eksportit për këto pajisje.

Udhëheqësi i demokratëve të Senatit, Chuck Schumer, i ka kërkuar Departamentit të Tregtisë të shpejtojë procesin. /REL