“Konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt”

Ambasadorja amerikane në vend Kate Mary Byrnes duke folur për veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut në Këshillin Evropian thotë se vetoja paraqet rrezik jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për BE-në, si dhe për çështjet që ndërlidhen me procesin e zgjerimit në tërësi.

E pyetur nëse pritet që administrata e re e Presidentit Joe Biden do të ushtrojë më tepër trysni ndaj Bullgarisë për ta tërhequr veton, Ambasadorja Byrnes përgjigjet se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në këtë rajon për dekada të tëra, dhe se në vitet e fundit janë përfshirë në mënyrë intensive në mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në NATO, në mbështetje të synimeve të saj për t’iu bashkuar BE-së, si dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rajonal.

“Ky është thelbi i politikës sonë këtu dhe ka ende shumë punë për t’u bërë në aspektin e axhendës së reformave, si dhe për t’u siguruar që procesi i integrimit në BE po shkon përpara. Është me rëndësi që bisedimet dypalëshe të vazhdojnë në ndonjë formë dhe mendoj se këtë e kanë parasysh të dyja palët. Eshtë me rëndësi që terreni të mbahet i përgatitur dhe të zhvillohen bisedimet për procesin integrues në BE. Jemi të inkurajuar që Portugalia ka theksuar se zgjerimi i BE-së në tërësi do të jetë përparësi edhe gjatë kryesimit të saj”.

Lidhur me përgatitjet e Maqedonisë së Veriut për regjistrimin e popullsisë, ambasadorja amerikane Kate Byrnes shprehet e  kënaqur për miratimin e ligjit në kuvend.

“Ky është një hap i rëndësishëm. Maqedonia e Veriut nuk ka patur census pothuajse për 20 vjet dhe kjo është reflektuar në procesin e hartimit të politikave, sepse të dhënat e sakta mbi popullatën janë pjesë e rëndësishme për planifikimin e të ardhmes”, tha ajo.

Duke folur për vaksinat kundër COVID-19 që priten të arrijnë në vend dhe nevojën për t’i bindur qytetarët të vaksinohen, si dhe pengimin e përhapjes së dezinformimit lidhur me sigurinë e vaksinës, ajo thotë se dialogu i hapur me qytetarët dhe informacionet e sakta janë të rëndësishme për besimin e publikut.

Përgjatë fazave të zhvillimit të vaksinës ka procedura që bëhen për sigurinë dhe ka një proces rigoroz të miratimit në Evropë dhe në Amerikë shprehet ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Kate Mary Byrnes në një intervistë dhënë shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës.

Klan Macedonia