Demokratët përfundojnë paraqitjen e fakteve në proces për trazirat në kongres.

Ligjvënësit demokratë në SHBA përfunduan paraqitjen e provave në procesin kundër ish-presidentit Donald Trump cili akuzohet për nxitjen e kryengritjes. Ata paralajmëruan se nëse Trump nuk dënohet atëherë ai mund ta përsërisë sërish nxitjen e turmës kundër Kongresit.

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve që kanë rolin e prokurorit në proces, përdorën fjalët e vetë kryengritësve për të lidhur zotin Trump me sulmin e dhunshëm të muajit të kaluar.

Ligjvënësit gjithashtu përdorën materiale të policisë, stafit të Kongresit, zyrtarëve të zbulimit dhe të mediave për të mbrojtur argumentet e tyre.Tani është radha e avokatëve mbrojtës të ish-presidentit për të paraqitur argumentet e tyre.

Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët ngriti akuzat ndaj ish-presidentit Trump muajin e kaluar dhe e akuzoi atë si nxitësin kryesor të kryengritjes në ndërtesën e Kongresit më 6 janar.

Avokatët e Trump-it argumentuan se ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë përdori lirinë e fjalës kur tha se zgjedhjet e Nëntorit të kaluar u manipuluan.

Për të miratuar akuzat ndaj ish-presidentit Trump duhen dy të tretat e votave në Senatin me 100 vende, një skenar i cili ka pak gjasë të ndodhë pasi shumica e senatorëve republikanë kanë mbetur besnikë të ish-kreut të shtetit.

Nëse akuzat miratohen, Senati mund të votojë gjithashtu për të ndaluar zgjedhjen e Trump-it për një mandat të dytë, siç e lejon dhe Kushtetuta.

Kryengritja në selinë e Kongresit, gjatë të cilës pesë vetë humbën jetën, ishte një përpjekje e mbështetësve të Trump-it për të ndaluar certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale.

Klan News