Në Departamentin Amerikan të Shtetit, Ministri Fatmir Xhafaj u prit nga Matthew Palmer, i ngarkuar me detyrën e zëvendësndihmësit të Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë.

Palmer vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm sa i takon reformës në drejtësi, rezulatet e para të së cilës, ai i konsideroi vërtet inkurajuese, duke shtuar se

“rezultatet konkrete në drejtim të nxjerrjes përpara drejtësisë të personave të dyshuar për korrupsion, krim të organizuar dhe trafiqe të paligjshme, janë prova konkrete për të ecur përpara me zbatimin e kësaj reforme”

. Kjo sipas tij, është edhe pritshmëria e SHBA-ve dhe BE-së.

Ministri Xhafaj theksoi se reforma në drejtësi ishte projekti më ambicioz i ndërmarrë në Shqipëri. Ai e njohu Palmer me rezultatet e kësaj reforme, si dhe perspektivën e ngritjes së organeve të reja të parashikuara prej saj.

Ministri i Brendshëm theksoi se reforma në drejtësi është ngushtësisht e lidhur me reformat e ndërmarra në fushën e sigurisë. Në këtë kontekst, Xhafaj i prezantoi zyrtari të DASH-it, prioritetet dhe objektivat e Ministrisë së Brendshme, duke u ndalur veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit të kanabisit, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme, operacionit “Forca e Ligjit”, me fokus goditjen e grupeve kriminale dhe aseteve të tyre, që ka filluar të japë rezultate konkrete.

Gjithashtu, Ministri Xhafaj informoi mbi procesin e ristrukturimit në Policinë e Shtetit, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Vetting-un dhe Policimin në Komunitet.

Palmer, vlerësoi aritjet e deritanishme të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që ky proces reformash, për të cilat Ministria e Brendshme ka një rol kyç, duhet ta çojë vendin drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Ai shprehu besimin se reformat kurajoze të ndërmarra në fushën e drejtësisë dhe sigurisë dhe progresi konkret në zbatimin e tyre, janë ndër faktorët kyç që do të shërbejnë si garanci për vendimmarrjen e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë gjatë muajve në vijim. Qëllimi ynë shtoi Plamer, është

“ta shohim Shqipërinë, të avancojë drejt BE”.

/tvklan.al